Xhamia Imam El Buhari

E hanë, Maj 21, 2012

Njohuri rrethë Islamit

Ai që nuk gjen ujë e as dhe të pastër duhet prapë të falet në çfarëdo gjendje të jetë ai dhe nuk ka nevojë më ta përsëris namazin. Bazuar nga ajo që shënon Muslimi nga Aishja e cila ki...

AddThis Social Bookmark Button

Foto e rastit

Statistikat

1101245
SotSot395
DjeDje1293
Ketë javëKetë javë395
Ketë muajKetë muaj28986
GjithsejGjithsej1101245

Dispozitat, rregullat dhe vlerat e agjërimit

( 3 Votes )
Vlerësimi i Përdoruesve: / 3
I VarfërI Shkëlqyeshëm 

Agjërimi - Agjërim në kuptimin gjuhësor do të thotë: ndalim dhe përmbajtje, kurse ne kuptimin fetar (sher’an) me agjërim kuptojmë: përmbajtjen e vetvetes dhe ndalimin e saj nga ngrënia, pirja, dhe ç’do gjë tjetër që është shkak për prishjen e tij, nga agimi deri në perëndimin e diellit, duke pasur si qëllim adhurimin e Allahut.
Kur është bërë obligim agjërimi?
Allahu xh. sh. e ka obliguar agjërimin për ymmetin e Muhammedit alejhi selam, sikurse e ka obliguar atë për popujt që kanë qenë më përpara, dhe për këtë ka thënë në Kur’ an: O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm. (El Bekare 183). Pra agjërimi është bërë obligim për ymmetin e Muhammedit a. s., ditën e hënë të muajit shaaban, të vitit të dytë të Hixhretit .


Vlerat e agjërimit - Muhammedi a. s. ka thënë shumë hadithe që flasin rreth vlerave të agjërimit, përmendim disa prej tyre.
1 - " Agjërimi është mbrojtje nga zjarri i xhehenemit "...(Imam Ahmedi dhe disa të tjerë)
2 - " Kush agjëron një ditë për hir të Allahut xh. sh., Allahu e largon fytyrën e tij 70 vjet larg zjarrit të xhehenemit, si shpërblim për agjërimin e asaj dite." (Hadithin e transmetojnë Buhariu dhe Muslimi).
3 - " është një derë në xhenet që quhet Raj-jan, në të cilën do të hyjnë agjëruesit Ditën e Gjykimit, nuk mund të hyjë askush tjetër përveç agjëruesve përmes kësaj dere, ata do të thirren: ku janë agjëruesit? Do të ngrihen dhe do të hyjnë përmes saj, e pasi të hyjnë ata, kjo derë do të mbyllet dhe askush s’do mund të hyjë më prej saj. (Hadithin e transmetojnë Buhariu dhe Muslimi).
Obligimi i muajit të Ramazanit - Kur’ani, syneti dhe konsensusi i dijetareve musliman vërtetojnë obligimin e agjërimit të muajit të Ramazanit.
Allahu xh. sh. thotë: Muaji i Ramadanit që në të (filloi të) shpallet Kur’ani që është udhërrëfyes për njerëzit dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra). E kush e përjeton prej jush këtë muaj, le të agjërojë . (Kuran: Bekare 185)
Muhammedi a. s. ka thënë: Feja Islame është e ndërtuar mbi 5 shtylla:
1 - Shehadetin (dëshminë se s’ka Zot tjetër që meriton të adhurohet përveç Allahut, dhe se Muhammedi alejhi selam është rob i tij edhe i dërguari i Tij).
2 - Falja e namazit
3 - Dhënia e zeqatit
4 - Kryerja e haxhit
5 - Agjërimi i muajit të Ramazanit. (Hadithin e transmetojnë Buhariu dhe Muslimi)
Si mund ta kuptojmë ardhjen e Ramazanit?
Hyrja e muajit te Ramazanit kuptohet në dy mënyra:
1) Me anë të shikimit të hënës së re; te natës se 30 të muajit Shaaban, dhe nëse shihet hëna e re atëherë obligohet agjërimi. Si argument për këtë kemi fjalën e Muhammedit a. s. që thotë: Nëse e shihni hënën (e muajit të Ramazanit) agjëroni, dhe nëse shikoni hënën e re të (muajit të Shewwalit) ndërpriteni agjërimin. (Hadithin e transmetojnë Buhariu dhe Muslimi)
Për lajmërimin e hyrjes së muajit të Ramazanit mjafton dëshmia e një besimtari që njihet për sinqeritetin dhe besueshmërinë e tij, kurse për shikimin e hënës së muajit të Shewalit dhe ndërprerjen e agjërimit duhet dëshmia e dy të tillëve.
2) Me plotësimin e 30 ditëve të muajit Shaaban. Nëse muaji Shaaban plotësohet 30 ditë, atëherë e nesërmja është dita e parë e muajit të Ramazanit, si argument kemi vazhdimin e hadithit të lartpërmendur që thotë: " .... e nëse nuk mund ta shihni hënën (e muajit të Ramazanit) atëherë plotësoni muajin e Shaabanit 30 ditë "...

Shtyllat e agjërimit
Shtyllat e agjërimit janë:
1) Qëllimi (nijeti), me të cilin kuptojmë vendosmërinë e plotë dhe të sinqertë për agjërimin e këtij muaji, me qëllim bindjen ndaj Fjalës së Allahut xh. sh., dhe afrimin tek Allahu xh. sh. Si argument për këtë është fjala e Profetit alejhi selam: "Në të vërtete punët janë sipas qëllimit". Dhe nëse agjërimi është i obligueshëm atëherë nijeti duhet bërë deri para agimit.
Profeti alejhi selam thotë në një hadith: "Kush nuk e bën nijetin (me zemër) që natën, nuk ka agjërim për të." (Hadithin e transmeton imam Tirmidhiu). Kurse për agjërim vullnetar (nafile) lejohet bërja e nijetit edhe pas lindjes së diellit, edhe deri para drekës nëse nuk ka futur asgjë në gojë. Argument për këtë kemi fjalën e Aishes (Allahu qoftë i kënaqur prej saj) që thotë: Një ditë ka hyrë Profeti, alejhi selam, në shtëpinë time dhe tha: "keni gjë për të ngrënë? thashë që jo. Tha: "Unë jam agjërueshëm". (Hadithin e transmeton imam Muslimi)
2) Ndalimi dhe përmbajtja e vetvetes nga çdo gjë tjetër që e prish agjërimin, si p. sh.: ngrënia, pirja dhe marrëdhëniet seksuale.
3) Koha e agjërimit, e cila është që nga agimi deri në perëndimin e diellit (aksham), sepse nëse një njeri agjëron natën dhe ha ditën nuk i pranohet agjërimi, kjo argumentohet me Fjalën e Allahut xh. sh. që thotë: Dhe plotësoni agjërimin deri në mbrëmje. (Kuran: Bekare 187)
Shpërblimi i agjërimit
Allahu xh. sh. ka thënë: Agjëruesit e agjërueset, ruajtësit e nderit e ruajtëset e nderit, shumë përmendësit e Allahut e shumë përmendëset e Allahut, Allahu ka përgatitur për ta falje mëkatesh dhe shpërblim të madh. (Kuran: Ahzabe 35)
Transmetohet nga Sehl Bin Sead, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, se Muhammedi, alejhi selam, ka thënë: është një dere në Xhennet që quhet Rraj-jan, dhe në të hyjnë agjëruesit në Ditën e Gjykimit, dhe në të nuk hyn askush tjetër përveç tyre, e pasi te hyjnë të gjithë ajo do të mbyllet dhe s’do të mund të hyjë asnjëri nga ajo derë. (Hadithin e transmetojnë Buhariu, Muslimi dhe Ibn Khuzejma).
Transmetohet nga Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, se Muhammedi, alejhi sela, ka thënë në një hadith kudsij: Allahu ka thënë: "çdo punë që bën biri i Ademit (njeriu) e bën për veten e tij, përveç agjërimit, agjërimin e bën për Mua dhe Unë e jap shpërblimin për të ".
Muhammedi, alejhi selam, ka thënë: "Agjërimi është mburojë për besimtarin",
Muhammedi, alejhi selam, ka thënë: Ai që është agjërueshëm të mos shajë, e nëse dikush e shan apo e ngacmon atë le të thojë: Unë jam agjërueshëm, unë jam agjërueshëm. (Këtë hadith e transmetojnë Buhariu dhe Muslimi)
Muhammedi, alejhi selam, ka thënë: "Betohem për Atë të Cilin shpirti i Muhammedit është në dorën e Tij, që era që del nga goja e agjëruesit është më e mirë tek Allahu xh. sh. sesa era e miskut"
Muhammedi, alejhi selam, ka thënë: Agjëruesi gëzohet dy herë, kur ha iftarin dhe kur të dalë para Allahut xh. sh., ai do gëzohet me agjërimin tij. (Hadithin e transmetojnë Buhariu dhe Muslimi)
Imam Muslimi thotë në një nga transmetimet se Profeti, alejhi selam, ka thënë: "çdo vepër e mirë e birit të Ademit shumëfishohet nga dhjetë deri në shtatëqind herë më shumë, dhe Allahu ka thënë: "Përveç Agjërimit, sepse agjërimi bëhet për Mua dhe Unë e jap shpërblimin për të, sepse robi im i lë epshet dhe ushqimin e tij për Mua",
Abdullah Bin Amr, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, transmeton se Muhammdi, alejhi selam, ka thënë: Agjërimi dhe Kur’ani bëhen ndërmjetësues te Allahu xh. sh. për besimtarin Ditën e Gjykimit. Agjërimi thotë: " O Allah unë e kam ndaluar atë (agjëruesin) nga ushqimi dhe epshet e tij, pranoje ndërmjetësimin tim për të ", Kur’ani thotë: "Unë e kam ndaluar atë nga gjumi i natës, pranoje ndërmjetësimin tim për të". Tha: Dhe ju mundësohet ndërmjetësimi për të. (Këtë hadith e transmetojnë imam Ahamedi , ET-Taberani dhe El Hakim).
Ebu Hurejra transmeton se Muhammedi, alejhi selam, ka thënë: "Kush e agjëron muajin e Ramazanit me bindje e besim të plotë dhe duke shpresuar faljen e mëkateve, do t’i falen atij të gjitha mëkatet që ka bërë." (Këtë hadith e transmetojnë Buhariu dhe Muslimi)
Ebu Hurejra transmeton gjithashtu se Muhammedi, alejhi selam, ka thënë: Pesë namazet, namazi i xhumasë deri në xhumanë tjetër, Ramazani deri në Ramazanin tjetër janë shkak për faljen e gjynaheve të vogla që janë bërë në mes tyre, nëse largohesh nga gjynahet e mëdha. (Hadithin e transmeton imam Muslimi)
Përsëri transmetohet nga Ebu Hurejra se Profeti, alejhi selam, ka thënë: Kur vjen muaji i Ramazanit, hapen dyert e Xhennetit, mbyllen dyert e zjarrit të xhehennemit dhe lidhen shejtanët. (Këtë hadith e transmetojnë Buhariu dhe Muslimi). Në një transmetim tjetër të Imam Muslimit thuhet: "Hapen dyert e mëshirës, mbyllen dyert e xhehennemit dhe prangosen shejtanët me zinxhirë".
Kushtet e agjërimit
Kushtet agjërimit janë: Islami, mendja (logjika e shëndoshë), puberteti, mundësia për agjërim dhe çlirimi nga gjërat që pengojnë agjërimin.
1 - Islami, d. m. th të jesh mysliman, sepse agjërimi nuk pranohet nga një mosbesimtar ( qafir) derisa të pranojë fenë Islame.
2 - Mendja (logjika e shëndoshë), sepse agjërimi nuk i pranohet një të sëmuri me aftësi të kufizuara derisa të shërohet. Si argument për këtë kemi fjalën e Muhammedit, alejhi selam, që thotë: Tre grupeve nuk ju shkruhet për gjynah: i mituri derisa të rritet, ai që është në gjumë derisa të zgjohet dhe të sëmurit me aftësi të kufizuara derisa të shërohet. Në këtë fazë mund të hyjnë edhe disa raste:
a - Ai që është i sëmurë me aftësi të kufizuara gjatë gjithë jetës, se ka për obligim agjërimin, dhe as se ka për borxh ta zëvendësojë.
b - Ai që është herë në gjendje sëmundjeje e herë në gjendje të rregullt, ose ai që ka kriza në një kohe të caktuar, atij si prishet agjërimi, dhe gjithashtu nuk detyrohet ta zëvendësojë (kaza), sepse një pjesë të mirë të ditës ka qenë në rregull dhe ka pasur mundësi ta bëjë nijetin, dhe si ka ndodhur asgjë nga ato që ja prishin agjërimin.
c - Atij që i bie të fikët gjatë gjithë ditës agjërimi tij është i pavlefshëm dhe e ka borxh ta zëvendësojë atë ditë.
d - Gjumi nuk e prish agjërimin edhe sikur personi të flejë gjatë gjithë ditës.
3 - Puberteti (mosha madhore). Argument kemi hadithin e lartpërmendur, ku veçojmë:" I mituri derisa te rritet". Është mirë që prindi të ja ushqejë fëmijës së tij dëshirën dhe dashurinë për agjërim pa e stërmunduar, dhe pa e dëmtuar shëndetin e tij në mënyrë që të praktikohet në zbatimin e Urdhrit të Allahut, dhe mësimin e rregullave të agjërimit, të mirave të tij, me qëllim që kur te rritet të mos ta ketë të vështirë ta vënë në jetë këtë obligim.
4 - Mundësia për agjërim
Personat që s’kanë mundësi të agjërojnë ndahen në disa grupe:
a - Ai që nuk është në gjendje gjatë gjithë kohës si nga pleqëria e thellë ose nga sëmundjet e pashërueshme; për këto nuk është obligim agjërimi, dhe nuk e kanë borxh ta zëvendësojnë, por duhet që të ushqejnë çdo ditë një të varfër.
b - Ai i cili është i sëmurë përkohësisht dhe ka shpresë për shërim. Atij i lejohet të hajë nëse agjërimi ndikon në rëndimin e sëmundjes së tij ose i dëmton shëndetin, ose është shkak për zgjatjen e shërimit të tij.
c - Në këtë grup hyjnë gjithashtu nënat shtatzëna dhe ato nëna që i ushqejnë fëmijët e tyre me qumësht; nëse kanë frikë se agjërimi është shkak për dëmtimin e shëndetit të saj apo të foshnjës .
Këta njerëz nuk e kanë obligim agjërimin gjatë muajit të Ramazanit përveçse kanë borxh zëvendësimin e tij (kazanë). Nëse ata agjërojnë agjërimi i tyre është i vlefshëm.
5 - Qëndrimi. Me qëndrim kuptojmë: ndodhjen e agjëruesit në vendbanimin e tij, sepse udhëtari nuk e ka obligim agjërimin gjatë periudhës së udhëtimit, dhe e ka borxh ta plotësojë atë që ka lënë pasi të kthehet në vendin tij, por edhe nëse ai agjëron edhe kur është në udhëtim agjërimi i tij është i vlefshëm. Duhet të kemi parasysh se nuk i lejohet askujt udhëtimi me qëllim lënien e agjërimit, se kjo vepër është e ndaluar rreptësishtë (haram); e nëse dikush bie në këtë gabim nuk i lejohet atij të hajë si ndëshkim për prishjen e qëllimit të tij (nijetit).

6 - çlirimi nga gjërat që e pengojnë agjërimin, nënkuptojmë me pengesa, si p. sh.: menstruacionet dhe lehoninë, sepse këto janë shkak për pengimin e besimtareve për agjërim. D. m. th.: femrat gjatë periudhës së lehonisë apo menstruacioneve se kanë për obligim agjërimin dhe nëse ato agjërojnë në atë gjendje, agjërimi i tyre nuk është i rregullt. Pra ato e kanë për obligim zëvendësimin e ditëve që s’kanë mundur të agjërojnë.
Dhe nëse dikujt i vijnë menstruacionet apo (koha e lindjes) dhe kalon në lehoni, qoftë edhe pak kohë para çeljes së iftarit, asaj i prishet agjërimi dhe e ka borxh zëvendësimin e asaj dite.
Nëse një femër pastrohet nga menstruacionet apo nga lehonia qoftë edhe pak kohë pas agimit asaj nuk i lejohet të agjëroje atë ditë, sepse agjërimi i saj është i pavlefshëm, por e zëvendëson atë.
Duhet të kemi parasysh nëse një femër pastrohet nga këto dy procese para agimit, agjërimi i saj është i rregullt edhe nëse ajo lahet pas agimit.
Gjërat që lejohen gjatë agjërimit
1 - Lejohet që agjëruesi të hedhë ujë mbi kokën e tij dhe të freskohet me qëllim që të evitojë nxehtësinë. Si argument për këtë kemi fjalën e Aishes, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, që thotë: "Perjgamberin, alejhi selam, e ka zënë koha e sabahut xhunub duke qenë agjërueshëm, dhe është pastruar me vonë" (Këtë hadith e transmetojnë Buhariu dhe Muslimi)
Dhe që Muhammedi alejhi selam: "ka hedhur ujë mbi kokën e tij duke qenë agjërueshëm për shkak të etjes ose të nxehtit" (Imam Ahmedi, dhe Ebu Dawudi dhe të tjerë, hadithi është i saktë).
Imam Buhariu në librin e tij të haditheve të sakta, ka vënë një kapitull që quhet: Larja e agjëruesit.
Ibn Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka lagur rrobat e tij duke qenë agjërueshëm, dhe i ka veshur të lagura.
2 - Lejohet pastrimi i madh (gusli) kur je agjërueshëm. Pra, të lahesh e të pastrohesh kur je agjërueshëm nuk e prish agjërimin. Nga veprat e Muhammedit, alejhi selam, mësojmë që disa herë e ka zënë sabahi pa u larë (xhunub), dhe më pas lahej dhe vazhdonte agjërimin. (Këtë hadith e transmetojnë Buhariu dhe Muslimi)
3 - Përdorimi i misvakut. Muhammedi, alejhi selam, ka thënë: Po të mos kisha frikë se do ta mbingarkoja ymetin tim do ti urdhëroja ata të përdornin misvakun për çdo abdes". Dhe në një transmetim tjetër: për çdo namaz. (Këtë hadith e transmetojnë Buhariu dhe Muslimi)
Në këtë thënie të tij nuk e ka veçuar agjëruesin, dhe kuptojmë se përdorimi i misvakut nuk e prish agjërimin. Këtu bën pjesë edhe pastrimi i dhëmbëve me pastë. (Për këtë ka thënë se është e lejuar dijetari Abdulaziz ibën Baz në librin ,,Fetva ibën Baz” 2/163, 164; si dhe dijetari El Uthejmin në librin ,,Fikhul Ibadat)
4 - Shpëlarja e gojës dhe e hundës gjatë abdesit. Muhammedi, alejhi selam, ka futur ujë në gojë dhe në hundë gjatë abdesit, dhe ka ndaluar që agjëruesit ta tejkalojnë këtë, dhe ka thënë: Pastronie mirë gojën dhe hundën gjatë abdesit përveçse kur të jeni agjërueshëm. (Këtë hadith e transmetojnë Tirmidhiu, Ebu Dawudi, Imam Ahmedi, Ibn Maxheh dhe Nesai)
5 - Përqafimet dhe puthjet, gjatë agjërimit nuk e prishin agjërimin. Transmetohet se Aishja, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, ka thënë: Profeti, alejhi selam, ka puthur dhe përkëdhelur kur ka qenë agjërueshëm, porse ai ka qenë shumë më i përmbajtur se ju ndaj epshit të tij. (Këtë hadith e transmetojnë Buhariu dhe Muslimi)
6 - Marrja e gjakut për analiza, si dhe përdorimi i gjilpërave që nuk kanë efekt ushqyes nuk e prishin agjërimin.
7- Hixhami, nxjerrja e gjakut të keq nga trupi i njeriut. Kjo vepër ka qenë një nga veprat që e prishin agjërimin porse është shfuqizuar me veprën e Profetit, alejhi selam, sepse vërtetohet që Muhammedi, alejhi selam, e ka bërë hixhamin duke qenë agjërueshëm, gjithashtu transmetohet edhe nga Ibn Ab-basi që, "Profeti, alejhi selam, e ka bërë hixhamin duke qenë agjërueshëm" (E ka përmendur Imam Buhariu).
8 - Ngrënia, pirja si dhe marrëdhëniet seksuale gjatë natës deri para agimit nuk ndikojnë në prishjen e agjërimit. Muhammedi a. s. ka thënë në një hadith: Bilali e thërret ezanin natën (në kohën e syfyrit) kështu që hani dhe pini derisa ezanin ta thërrasin Ibn um Mektumi. (Këtë hadith e transmetojnë Buhariu dhe Muslimi)
9 - Nëse femra pastrohet nga menstruacionet ose lehonia gjatë natës dhe atë e zë koha e sabahut pa u larë, lejohet të lahet gjatë kohës së namazit dhe të vazhdojë agjërimin. Duhet të ketë kujdes mos ti kalojë koha e namazit të sabahut pa u pastruar e pa u falur.
10 - Udhëtimi në rast nevoje, edhe nëse detyrohet ta prishë agjërimin, sepse agjëruesit i lejohet të zgjedhë nëse do agjëroje apo jo.
11 - Lejohet për agjëruesin përdorimi i çdo ilaçi të lejuar, që nuk e kalon fytin.
12 - Shijimi me gjuhë i gjellës por me kusht që mos të kalojë në fyt.
13 - Marrja e gjakut për arsye analizash, nuk e prish agjërimin, po ashtu edhe gjaku që rrjedh nga heqja e dhëmbit, dhe nga pastrimi i plagëve.
14 - Nuhatja e erërave të mira nuk e prish agjërimin.
15 - Kohli, që përdoret për zbukurimin e syve, si dhe ilaçet me pika që hidhen në sy nuk e prishin agjërimin.
Gjërat që nuk janë të pëlqyeshme gjatë agjërimit
Agjërimi ka dispozita dhe rregulla të cilat duhet ti zbatojmë me përpikëri në mënyrë që agjërimi ynë të jetë sa më i plotë e sa më i rregullt, që të arrijmë përmes tij mirësitë, begatitë dhe shpërblimin e Allahut dhe mos të na shkojë mundimi kot .
Profeti, alejhi selam, ka thënë: "Ka nga ata që agjërojnë dhe nuk kanë fituar asgjë nga agjërimi i tyre përveç urisë dhe etjes".
Agjërim, nuk do të thotë të largohesh vetëm nga ngrënia dhe pirja, porse duhet të largohemi nga çdo fjalë dhe vepër e ndaluar dhe e papëlqyer.
Disa nga të parët tanë kanë thënë: "gjeja më e lehtë në agjërim është të lesh të ngrënit dhe të piret, porse kështu nuk arrihet afrimiteti tek Allahu xh. sh., duhet të largohemi nga epshet, dhe nga çdo vepër apo fjalë që Allahu na ka ndaluar prej saj".
Muslimani ka për detyrë gjatë gjithë kohës të jetë larg fjalëve e veprave të ndaluara nga Allahu xh. sh. dhe në veçanti në muajin e agjërimit. Siç dihet se ai që bën vepra të tilla jashtë muajit të Ramazanit meriton të dënohet për atë që ka bërë, kurse në muajin e Ramazanit përveç dënimit ka rrezik që edhe sevapin e agjërimit ta ketë të mangët ose edhe ta humbasë fare për shkak të fjalëve dhe veprave të tilla.
Agjërimi i saktë dhe i vërtetë është i atij që i ka agjëruar barku nga ushqimet dhe pijet, dhe i atij që gjymtyrët i kanë agjëruar nga gjynahet, i atij që gjuha i ka agjëruar nga fjalët e këqija si përgojimi etj, e i atij që veshi i ka agjëruar nga dëgjimi i muzikës dhe haramit, dhe i atij që syri i ka agjëruar nga shikimi në haram.
Muhammedi, alejhi selam, ka thënë: Ai që nuk i lë fjalët e kota, Allahu s’ka nevojë që ai lërë të ngrënit dhe të pirët. (Ky hadith është transmetuar nga imam Buhariu)
Ёshtë mirë që agjëruesi të largohet nga disa vepra të cilat nuk e prishin agjërimin porse janë ndikues i fortë për përgjysmimin e sevapeve të agjërimit, dhe se përdorimi i tyre mund të çojë edhe në humbjen totale të sevapeve. Nga këto veçojmë:
1 - Përgojimi, thashethemet, gënjeshtra, gjërat e këqija dhe gjynahet janë të papëlqyeshme për agjëruesin, duke ditur se këto gjëra janë të ndaluara rreptësishtë që në origjinë.
2 - Humbja e kohës për shkak të gjumit, të lojërave të ndryshme apo dhe të punëve të kota është e papëlqyeshme për agjëruesin.

3 - Shikimi i pandërprerë me epsh i burrit ndaj gruas së tij apo robëreshës, dhe mendimi për marrëdhënie seksuale, janë gjithashtu të papëlqyeshme.
4 - Tejkalimi në shpëlarjen e gojës dhe hundës gjatë abdesit kur je agjërueshëm është vepër e papëlqyeshme. Argument për këtë është fjala e Profetit, alejhi selam, që thotë: Pastrojeni mirë hundën dhe gojën gjatë abdesit përveçse kur te jeni agjërueshëm. (Hathin e transmetojnë Ebu Davudi, Tirmidhiu, Ibn Maxheh, Nesai dhe Ibn Huzejma)
5 - Prekjet dhe përkëdheljet me epsh nuk janë të pëlqyeshme për agjëruesin.
Gjërat që e prishin agjërimin
Shkaqet që çojnë në prishjen e agjërimit ndahen në dy grupe:
1 - Ajo që e prish agjërimin dhe e obligon agjëruesin që ta zëvendësojë atë ditë, dhe të kryejë dëmshpërblimin kundrejt atij gabimit.
Marrëdhëniet seksuale - Të bësh marrëdhënie seksuale gjatë ditës së agjërimit është një nga gjynahet më të mëdha. Pra, marrëdhëniet seksuale janë shkak për prishjen e agjërimit të atij personi mashkull qoftë apo femër, dhe kush e kryen këtë vepër gjatë muajit të Ramazanit, ndërkohë që nuk është udhëtar dhe nuk është i sëmurë, ka obligim ta zëvendësojë atë ditë dhe të lajë një dëmshpërblim të madh për këtë gjynah. Ky dëmshpërblim është:
a - Lirimi i një robi besimtar; nëse s’ka mundësi të gjejë një të tillë, atëherë:
b - Duhet të agjërojë 2 muaj rresht pa ndërprerje. Nëse nuk ka mundësi për ndonjë arsye të fortë (si sëmundja), atëherë:
c - Duhet të ushqejë 60 të vobektë dhe ky dëmshpërblim obligohet si për burrin ashtu edhe për gruan nëse ajo i është bindur atij me dëshire.
2 - Ato vepra që e prishin agjërimin dhe obligojnë agjëruesit vetëm zëvendësimin e asaj dite pa dëmshpërblim; këto janë:
a - Të ngrënit dhe të pirit me qëllim gjatë ditës së agjërimit
b - Të ngrënit dhe të pirit, edhe marrëdhënia seksuale, jo me qëllim për prishjen e agjërimit, por duke menduar se ka perënduar dielli dhe është koha e iftarit, dhe me vonë mëson se iftari s’ka ardhur akoma. Në këtë rast ka për obligim vetëm zëvendësimin e asaj dite.
c - Gjilpërat me efekt ushqyes. (duhet te kemi parasysh se pompat që përdoren për sëmundjen e asmave nuk e prishin agjërimin, po ashtu edhe ilaçet me pika që hidhen si në sy apo ne vesh).
ç - Nxjerrja e spermës me qëllim pa marrëdhënie seksuale, cilido qoftë shkaku i saj, si nga puthjet, prekjet dhe përqafimet e burrit ndaj gruas dhe anasjelltas. Duhet të kemi parasysh se dalja e spermës në ëndërr apo thjeshtë nga mendimet nuk e prishin agjërimin.
d - Marrja e gjakut për qëllim analizash nga damarët nuk e prish agjërimin, por nëse sasia e këtij gjaku është më e madhe se kaq atëherë është më mirë të shtyhet deri në kohën e iftarit, ne pamundësi të shtyrjes atëherë shejkh Ibn Baz thotë se është më mirë të zëvendësohet kjo ditë (të bëhet kaza). Gjithashtu edhe rrjedhja e gjakut që del nga nxjerrja e një dhëmbi apo një çarje në trup nuk e prishin agjërimin edhe pse duhet të mundohemi gjithmonë shmangien e këtyre gjërave sipas mundësisë.
e - Agjërimi prishet gjithashtu kur femra është në periudhën e menstruacioneve dhe të lehonisë.
f - Shkak për prishjen e agjërimit është edhe dalja nga Islami dhe kthimi në kufër (mosbesim).
g - Të vjellurit me qëllim është gjithashtu vepër që ndikon në prishjen e agjërimit, ndërsa të vjellurit paqëllim nuk e prish atë. Muhammedi, alejhi selam, ka thënë: Kush vjell pa qëllim kur është agjërushëm nuk e prish agjërimin, (d. m. th. s’ka kaza për të) dhe kush vjell me qëllim le ta zëvendësojë atë ditë".
h - Shkak për prishjen e agjërimit është edhe prishja apo refuzimi i nijetit.
Këshilla dhe udhëzime për agjëruesin dhe agjëruesen
1- Kujdesu që ky muaj i begatë të jetë shkak për llogaritjen e punëve tuaja, kthimin tënd në rrugën e drejtë dhe për rregullimin e jetës tënde.
2- Kujdesu që çdo natë ta falësh namazin e teravisë me xhemat. Profeti, alejhi selam, ka thënë: "Kush falet me imamin derisa të largohet, e ka sevapin sikur ka falur namaz gjithë natën".
3- Mos e shpërdoro paranë vend e pa vend, se shpërdorimi i pasurisë nuk lejohet, dhe kjo gjë është shkak për pakësimin e dhënies së sadakasë.
4- Mos kërko që të kesh për iftar disa lloje ushqimesh, se kështu ja humb kohen atyre që merren me përgatitjen e ushqimeve dhe i largon ato nga ibadeti dhe leximi i Kur’anit.
5- Mos e harxho këtë kohë kaq të shtrenjtë, por përfito prej saj në netët e Ramazanit, dhe pakëso vajtjen nëpër tregje, sidomos pjesën e fundit të muajit.
6- Mos harro që ky muaj i begatë është një mysafir që ikën shumë shpejt, prandaj prite mirë dhe sillu sa më mirë ndaj tij.
7- Ky muaj i bereqetshëm është muaj pune dhe ibadeti, dhe nuk është muaj gjumi e përtacie.
8- Mos të shkojë asnjë minutë pa bërë vepra të mira, sepse ti do të pyetesh dhe do japësh llogari para Allahut për kohën e humbur, si dhe do të shpërblehesh për të mirat që ke bërë.
9- Nëse ke mundësi bëje një Umre (vizitë Qabes) në këtë muaj, Profeti, alejhi selam, ka thënë: "Një Umre në Ramazan e ka shpërblimin si të bësh një haxh".
10- Ёshtë mirë që të çohesh çdo natë në syfyr dhe mos agjëro pa syfyr dhe ngrënia e syfyrit të jetë para agimit.
11- Mos e vono asnjëherë iftarin që ta fitosh dashurinë e Allahut.
12- Është mirë që të ftosh njerëz për iftar që të arrish shpërblimin sikurse ai që ka agjëruar.
13- Kur ta ndiesh veten të uritur, çoje ndërmend që ti je i dobët, dhe e ndjen nevojën për ushqim dhe për mirësitë e tjera që ti ka dhuruar Allahu xh. sh.
14- Përfito nga ky rast i volitshëm që në këtë muaj të begatshëm të largohesh nga disa vese të këqija që të sjellin vetëm dëme dhe asnjë dobi.
15- Mundohu që në këtë muaj ta lësh duhanin, i cili është shkak për sëmundjen e kancerit, dhe bëji atij ballë edhe natën sikurse gjatë ditës, që të ruash shëndetin dhe pasurinë tënde.
16- Shtoje (Dhikrin) përmendjen e Allahut xh. sh. dhe kërko falje sa më shumë për gabimet tuaja. Kërkoi Allahut xhennetin dhe që të shpëtojë nga zjarri i xhehennemit, në veçanti kur je agjërushëm, sidomos para iftarit, dhe në kohën e syfyrit që është prej shkaqeve të pranimit e duasë (lutjeve).
17- Lutju sa më shumë Allahut xh. sh. për veten tënde, për prindërit dhe fëmijët tuaj, për mbarë myslimanët, se Allahu xh. sh. na ka urdhëruar të lutemi dhe na ka garantuar pranimin e saj.
18- Dije vëlla se Allahu është më Bujari i bujarëve dhe më Mëshiruesi i mëshiruesve.
19- Nëse bën një gjynah dhe Allahu ta mbulon atë, dije mirë se kjo është vërejtje për ty që të kthehesh nga ai gjynah dhe të pendohesh sa nuk je vonë, dhe betohu që s’ke për tu kthyer tek ai gjynah asnjëherë.
20- Dije që Allahu xh. sh. na e ka lejuar në pushimin dhe qetësimin me hallall, porse nuk është mirë që ta tejkalojmë dhe ta bëjmë gjithë kohën pushim, e kjo është shkak për humbjen e këtij rasti për shtimin e punëve të mira.
21- Agjëro Ramzanin me iman të plotë duke shpresuar Shpërblimin e Allahut xh. sh. që Allahu xh. sh. të ti fale gjynahet që ti ke bërë.
22- Largohu nga shoqëria e keqe dhe mundohu të gjesh shokë që janë njerëz të mirë e besimtarë të sinqertë.
23- Shkuarja në xhami që herët tregon mallin që ke ndaj ibadetit dhe shpresën për shpëtim nga Krijuesi yt.
24- Agjëroje Ramazanin gjithmonë dhe praktiko fëmijët tuaj me agjërim aq sa munden. Dhe mos e lër agjërimin kurrë pa asnjë arsye, se ai që e le agjërimin e një dite me qëllim, ka borxh zëvendësimin e asaj dite dhe të pendohet tek Allahu xh. sh.
25- Mos rri natën vonë, sepse humbet syfyrin dhe namazin e sabahut,
26- Jep lëmoshë për të varfëritë të afërm qofshin apo jo. Vizito te afërmit dhe pajtohu me ata që nuk flet.
27- Lahu nëse ke nevojë para sabahut, që ta kryesh ibadetin sa më i rregullt e sa më i pastër.
28- Përfito nga rasti që në këtë muaj të begatshëm të lexosh, meditosh dhe ta kuptosh e zbatosh sa më shumë Librin e Allahut xh. sh. që të jetë argument për ty dhe të bëhet ndërmjetësues i yti para Allahut në Ditën e Gjykimit.
Vlerat e dhjetë netëve të fundit të Ramazanit dhe të natës së Kadrit
Në të vërtetë po afrohen disa ditë të begatshme dhe disa orë të pakta, ato janë dhjetë ditët e fundit të muajit Ramazan të cilat dallojnë nga ditët e tjera të këtij muaji të begatë me anë të disa veçorive që do ti përmendim më poshtë.
Nga veçoritë e mira të këtyre ditëve dallojmë:
1 - Adhurimi dhe veprimtaria e Muhammedit, alejhi selam, gjatë këtyre dhjetë ditëve e netëve kanë qenë më të shumta se në ditët e tjera të këtij muaji. Këtë e dëshmon fjala e Aishes, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, që thotë: "Muhammedi, alejhi selam, në dhjetë ditshin e fundit të Ramazanit e ka shtuar ibadetin e tij më shumë se në ditët e tjera". (Imam Muslimi / 1175 ).
2 - Muhammedi, alejhi selam, e ka kaluar gjithë natën në ibadet (duke u lutur dhe u falur, siç tregon Aishja, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, që: "Muhammedi, alejhi selam, në dhjetë netët e fundit të Ramazanit e ka kaluar gjithë natën duke u falur dhe ju lutur Allahut xh. sh., dhe e ka zgjuar familjen e tij (për ibadet), dhe s’ka fjetur me gratë e tij që ti përkushtohej sa më shumë ibadetit".
Vëlla, motër ... Kujdes dhe mundohu të ndjekësh shembullin e Profetit, alejhi selam, dhe përkushtoju ibadetit që të mos të kalojnë këto ditë e netë të shenjta pa punë e vepra të mira, dhe se shpërblimi i veprave të mira në këto dhjetë ditë të fundit është shumë i madh. Dhe kërko në mesin e këtyre netëve Natën e Kadrit, që ti shtosh sa më shumë veprat e mira, namazin dhe lutjet që të fitosh Faljen dhe Mirësinë e Allahut xh. sh.
Vëlla mysliman apo motër myslimane!
Jeta e popujve dhe fiseve të ndryshme flet për ndodhi të paharruara dhe për ditë të lavdishme, që mbajnë në vetveten e tyre gjëra që ta gëzojnë zemrën dhe të bëjnë të ndihesh krenar. Dhe ymeti i Muhammedit, alejhi selam, është nderuar, shpërblyer dhe veçuar me shume gjëra të tjera, ditë dhe net të shenjta. Një nga begatitë e Allahut për ymetin e Muhammedit, alejhi selam, është një natë e veçantë të cilën Allahu xh. sh. e ka cilësuar të begatë, për të mirat dhe vlerat e shumta që ka. Një nga të mirat e kësaj nate është se Kur’ani famëlartë është zbritur në këtë natë. Allahu ka treguar që në këtë natë caktohet e ndahet çdo çështje ne mënyrë të prerë; pra caktohet çdo gjë që do të ndodhë për një vit të tërë; shkruhen në të gjallët dhe të vdekurit, të shpëtuarit dhe të humburit, të lumturit dhe të humburit, krenari dhe i poshtëruari etj, nga ato që Allahu dëshiron të ndodhin për atë vit. Allahu thotë në Kur’anin e madhërueshëm: Ne e zbritëm atë në një natë të bekuar (në natën e begatshme të Kadrit). Ne dëshiruam t’ju tërheqim vërejtjen e njerëzit të jenë të gatshëm. Në atë (natë) zgjidhet çdo çështje në mënyrë të prerë. Urdhër i përcaktuar nga Vetë Ne. S’ka dyshim se Ne dërguam të dërguar. (E zbritem) Nga mëshira e Zotit tënd, në të vërtetë Ai është Dëgjuesi dhe i Dijshmi. (Kuran: Ed-Duhane 3 - 6).
Dhe thotë gjithashtu për këtë natë të begatë: Ne e zbritem atë (Kur’anin) në natën e Kadrit. E ç’të bëri ty të dish se ç’është nata e Kadrit? Nata e Kadrit është më e rëndësishme se një mijë muaj. Me lejen e Zotit të tyre në të (atë natë) zbresin engjëjt dhe shpirti (Xhibrili) për secilën çështje. Ajo (që përcakton Zoti) është paqe deri në agim të mëngjesit. (Kuran: El-Kadr 1 - 5)
Vlerat e kësaj nate janë të shumta nga to veçojmë:
1 - Allahu xh.sh. në këtë natë të begatë e ka zbritur Kur’anin, ku në të është udhëzimi i njerëzve dhe është shkak për lumturinë e tyre si në këtë botë ashtu edhe në tjetrën.
2 - Vlerësimin që i ka bërë Allahu xh. sh. kësaj nate, e ka shprehur atë në ajetin e Kur’anit në mënyrë pyetësore; "E ç’të bëri ty të dish se ç’është nata e Kadrit?".
3 - Kjo natë është më e vlefshme se një mijë muaj, d. m. th. është më e vlefshme se tetë dhjetë e tre vite.
4 - Në këtë natë zbresin Engjujt (Melaikët), dhe zbritja e tyre është e shoqëruar me shumë të mira, Begatinë dhe Mëshirën e Allahut.
5 - Ajo është shpëtim, për vlerat që i ka dhënë Allahu xh. sh. kësaj nate që të na shpëtoje nga dënimi dhe nga vuajtjet me anë të namazit, lutjeve të shumta dhe adhurimit që bëhet gjatë kësaj nate të begatshme.
6 - All-llahu xh. sh. ka zbritur në Kur’an një kaptinë (sure) të plotë që flet mbi vlerat dhe begatitë e kësaj nate dhe që lexohet deri në Ditën e Gjykimit.
Nga veçoritë të kësaj nate është edhe ajo që ka përmendur Muhammedi, alejhi selam, në një hadith, që transmetohet nga Ebu Hurejra, që thotë: Kush falet natën e Kadrit me iman (besim të plotë) dhe me bindje se do shpërblehet nga Allahu xh. sh., do ti falen atij të gjitha gjynahet që ka bërë (Hadithin e transmetojnë Buhariu dhe Muslimi)
Vëlla mysliman apo motër myslimane !
Kërkoje këtë natë të begatë në dhjetë ditshin e fundit të muajit të Ramazanit, sidomos në netët teke; d. m. th. në natën e 21, 23, 25, 27 dhe 29, këtë e dëshmon fjala e Aishes, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, që Profeti, alejhi selam, ka thënë: Kërkojeni natën e Kadrit në dhjetë ditshin e fundit; në netët teke" (Buhariu / 2017) dhe hadithi i transmetuar nga Ibn Abasi që Muhammedi, alejhi selam, ka thënë: "Kërkojeni natën e Kadrit në dhjetë ditshin e fundit të Ramazanit.
Nata e Kadrit mund të qëllojë natën e 29, ose të 27 ose të 25 " (Buhariu / 2021)
Nata e kadrit ka shumë mundësi të jetë në shtatë netët e fundit, dhe për këtë ka ardhur në një hadith të Ibn Omerit, Allahu qoftë i kënaqur me të, dhe babain e tij, që njeri nga (sahabet) shokët e Profeti ka parë në ëndërr që nata e Kadrit është në shtatë netët e fundit të Ramazanit, Profeti, alejhi selam, ka thënë: E shoh atë që keni parë ju dhe qëndron në shtatë netët e fundit dhe kush nga ju do ta kërkoje natën e Kadrit le ta kërkojë atë në shtatë netët e fundit. (Ky hadith është transmetuar nga Buhariu dhe Muslimi).
Nata e Kadrit nuk vjen gjithmonë në të njëjtën natë. Ibn Haxher ka thënë në "Fethul Bari" që: "Mendimi më i saktë është se nata e Kadrit gjendet në netët teke të dhjetë netëve të fundit të muajit, dhe e vërteta është se ajo nuk vjen çdo vit në të njëjtën natë, porse ndryshon." 

Allahu xh. sh. më Mëshirën e Tij ka bërë që njerëzit mos ta dinë se kur është Nata e Kadrit, me qëllim që njerëzit ta shtojnë ibadetin (adhurimin), në kërkim të kësaj nate kaq të çmuar dhe të vlefshme, dhe netët teke janë të pakta edhe pse shpërblimi ndaj veprave është tepër i madh.
Vëlla mysliman apo motër myslimane!
Përkujtoje Allahun dhe lutu sa më shumë, sidomos me lutjen që Profeti, alejhi selam, i ka mësuar Aishes, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, e cila e ka pyetur Profetin, alejhi selam, se çfarë të thonte nëse e kuptonte se mund të ishte nata e Kadrit? Ai ka thënë: Thuaj: "Allahume in-neke Afuwun tuhib-bul afve feafu an-nij" e do të thotë: "O Zoti im, Ti je Falës i gjynaheve dhe e do atë (faljen), mi fal mua gjynahet e mij (Hadithin e transmeton imam Tirmidhi).
Vëlla mysliman apo motër myslimane!
Shtoje ibadetin tënd, namazin, lutjet, pendohu për mëkatet dhe frikësoju Allahut, në këtë muaj të begatë e sidomos në dhjetë netët e fundit të muajit, dhe përfito nga çdo minutë, nga çdo sekondë që të bësh sa më shumë vepra të mira, dhe ruaju nga bidatet dhe nga veprat që si ka bërë as Profeti e as shokët e tij, por ndjek shembullin e Profetit dhe të shokëve të tij, që të të pranohen ty lutjet dhe veprat tuaja.
O Zoti ynë na i fal ne gjynahet tona dhe na mëshiro, na e fal dhe na e mbulo ne çdo gabim, dhe na mbaj ne në këtë besim deri ditën që të takohemi, O Allah na e shto begatinë tënde në veprat tona dhe në kohen tonë dhe na ndihmo ne të shtojmë ibadetin dhe veprat e mira, o Allah na shpëto ne, baballarët e nënat tona nga zjarri i xhehennemit, e na i fal gjynahet neve, prindërve tanë dhe mbarë muslimanëve. Paqja e shpëtimi i Allahut qofshin mbi profetin tonë Muhammedin, alejhi selam, familjen e tij, dhe mbi gjithë shokët e tij.

Bazuar në përmbledhjen "Silsiletu fetawa we resail lil muxhtema" e Ahmed bin Salih El-Hulejf, si dhe në "40 dersen limen edreke Ramadan" e Abul Melik El-Kasim

Islam - Shtyllat e Islamit

Lutje nga Kur'ani edhe Sunneti

Data Hixhri

Hene 1 Rajab 1433 Hixhri, 21 Mai 2012
Xhamia El Buhari ne facebook.com

Kohet e Namazit

Vaktija

të shkarkuaret

Kush është në lidhje

Momentalisht kemi 63 mysafirë në linjë

Webfaqje të zgjedhura

Namazi - Dokumentar

Forma e Namazit